oraeshqipes

A E KA VENDIN NË STANDARDIN E SHQIPES PJESORJA “HËNGËR” (HANGËR) NGA FOLJA HA, DUKE QENË SE E KRYERA E THJESHTË NGA KJO FOLJE DEL: “HËNGRA”?

Administrator Administrator Postuar: 22 Mars, 2024

0 Shikime

Komente


A E KA VENDIN NË STANDARDIN E SHQIPES PJESORJA “HËNGËR”  (HANGËR) NGA FOLJA HA, DUKE QENË SE E KRYERA E THJESHTË NGA  KJO FOLJE DEL: “HËNGRA”?

A E KA VENDIN NË STANDARDIN E SHQIPES PJESORJA “HËNGËR”

(HANGËR) NGA FOLJA HA, DUKE QENË SE E KRYERA E THJESHTË NGA KJO FOLJE DEL: “HËNGRA”?

Pjesorja e gegërishtes “hangër” është përdorur shumë kohë para Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe vërehet edhe sot në disa publikime si në “Fejzbuk”, ku autori me inicialet H.S., para disa ditësh pati shkruar edhe këtë:”…nuk e kemi dit çka eshte, e çka me hanger e me pi etj.etj.” Sipas këtij shembulli të shkurtër vërehet edhe drejtshkrimi i mangët, por me paskajoret e gegërishtes, si: me hangër, me pi, ku kemi pjesoren “hangër”, që është pjesë e shkrimeve tona edhe tani.

Mënjanimi i pjesores “hëngër”(hangër) nga standardi, kur kjo është shumë prodhuese në forma të ndryshme morfologjike, si në formën e paskajores (me hangër), si emër (e hangërna), si emër asnjanës (të hangërnit), si mbiemër (i,e hangërn dhe i hangërshëm, hangatak) etj.,që mund t’i gjejmë në veprën e gjuhëtarit të zellshëm shqiptar, “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, Botimi III (2009), Prishtinë, f.551-552, të autorit Mehmet Elezi. Dhe, jo vetëm këto forma që gjenden në vepër, por aty gjejmë edhe shumë frazeologji popullore dhe artistike, ku këto janë shprehur nga banorët e drejtpërdrejtë të fshatrave të ambienteve tona.

Pjesorja hangër e foljes ha thuajse është dominuese në dy faqet e Fjalorit, megjithëse nuk mungojnë as format e shtjelluara të kësaj foljeje në mënyrën dëshirore (hangërt) dhe habitore (hangërka) etj.

Ja disa fjali me pjesoren hangër në paskajore (me hangër):

- Me e hangër arën në kambë. (pa korrë)

- Me e hangër buzën në dhambë.1.Me e kafshue buzën pa dashje.

- Me e hangër gjallë si qepën dikë. Me e shqye dikë.

- Me e hangër mbas shpine.

- Me ia hangër zemrën dikujt.

- Mos me e hangër as qeni.

“E hangërshin shtatëqind dreqën!”

“Hangërt veten!”

“Hangsh kryet tat / bafsh mish e gjak!”

“Me hangër si mi e jo si ari” fj.u.

- S’e ka hangër qeni i çartun.

- Me e hangër furra dikë. Etj.

Në klasën II të zgjedhimit III, ku përfshihet edhe folja “ha”, bëjnë pjesë foljet, që në të kryerën e thjeshtë dhe në pjesore e zgjerojnë prapashtesën, si p.sh.: di dit-a dit-ur; ngre ngrit-a ngrit-ur etj. Me foljen “ha” kjo nuk është bërë: ha hëngr-a ngrë-në, në vend se:

ha hëngr-a hëngr-ë !

Siç vërehet, sidomos në stilin popullor, pjesorja e foljes “ha” është “e gjallë” edhe sot në masën e gjerë popullore, ashtu siç ka qenë në vazhdimësi para vitit 1972 në dialektin gegë.

A mund ta kemi një variant dytësor për pjesoren e foljes “ha”, pra “hëngër”(hangër) për pjesoren e sotme “ngrë-në”?

Akademik Kolec Topalli në “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” fjalën “NGRËNË/NGRANË” e shpjegon si pjesore e foljes “ha”. “Fjalë e mbarë gjuhës, e trashëguar nga fondi indoeuropian. Folje supletive, që del vetëm në pjesore, ndërkohë që e tashmja ha ka një rrënjë tjetër dhe e kryera e thjeshtë hëngra/hangra është formuar nga bashkimi i këtyre dy rrënjëve.

Nëse folja “ha” në të kryerën e thjeshtë del si bashkim i dy rrënjëve “ha + ngr-a > hëngra; pse nuk del nga një bashkim i tillë edhe pjesorja: ha + ngr-ë > hëngër (hangër)?!

Sipas “Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe” del se nga folja “ha” koha e tashme veta e parë njëjës e kohës së tashme të mënyrës dëshirore është formuar nga tema e pjesores ngrënë, duke ia shtuar alomorfin - ç- dhe mbaresën -a -(ngrën-ç-a),por “Gramatika e.gjuhës shqipe 1”, Tiranë, 2002,f.296, shënimi 4., se pjesorja e foljes “ha” është “hëngër” dhe jo “ngrënë”. Kjo do të thotë se koha e tashme e mënyrës dëshirore është kështu:

hëngër-sh-a ngr ën-ç-a

hëngër-sh ngrën-ç

hëngër-t. dhe jo ngrën-të

hëngër-sh-im. ngrën-ç-im

hëngër-shi ngrën-çi

hëngër-sh-in ngrën-ç-in

Formën e. vetës së tretë të kohës së tashme të mënyrës dëshishirore e hasim edhe në fjalorin tonë shpjegues “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Prishtinë, 1981, f.638 si vijon:

- E ngrëntë (e hëngërt) dreqi (lugati)!

- E ngrëntë (e hëngërt) dheu!

Në Fjalorin shpjegues më lart autorët e kanë futur fjalën “hëngërt” në kllapa, ndërsa i kanë dhënë përparësi formës jashtë kllapave “ngrëntë”.

Nga kjo analizë e shkurtër përkitazi me pjesoren e vërtetë të foljes “ha”, pra: “ngrënë” apo “hëngër” ka dilema edhe te gjuhëtarët tanë, të cilët hartojnë tekste shkencore të gjuhës shqipe!

Do të ishte i arsyeshmëm aktivizimi i gjuhëtarëve për zgjidhjen e këtij problemi.

~Prof. Musa Nushi

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj